Skema dhe zhvillimi i lëvizjes sindikale (me periudha)

- Midis pronarëve dhe argatëve.

(Lindja e elementëve të parë të kapitalizmit).

- Lëvizja kundër padrejtësive shoqërore.

(Reforma e Tanzimatit, taksat e mëdha nga sunduesit).

- Organizimi i grevës të zanatçinjëve të Shkodrës.

(Kundërshtim i hapur kundër prodhuesve më të mëdhenj).

- Organizimi i Shoqatave të para mbi bazë profesionale në Korçë.

(Domosdoshmëria e forcës goditëse prej të gjitha profesioneve).

- Rritja e organizimit sindikal në shkallë më të gjërë.

(Ballafaqimi direkt me të huajt lidhur me shfrytëzimin e fuqisë punëtore).

- Përhapje e lëvizjes sindikale arriti kulmin në demonstratën e bukës në Korçë.

(Përleshje dhe demostrime të përgjakëshme).

- Organizim me strukturë më të plotë dhe objektiva konkrete por e diktuar nga politika.

(Mbrojtja e interesave social - ekonomike të punonjësve).

- Domosdoshmëria e pluralizmit sindikal bashkëkohor.

(Krijimi i Federatave dhe sindikatave të tjera).

 

Njohuri mbi Lëvizjen Sindikale në Shqipëri

(Momentet historike)

S hqipëria vuante nga copëtimi në principata e vilajete, pasojë e pushtimit otoman turk. Prapambetja ishte pasqyrë e feudalizmit. Lëvizjet e para të protestës spontane të njerëzve filluan me shthurjen e rendit Feudal, si rezultat i thellimit të konflikteve të ndryshme e të vazhdueshme midis pronarëve të tokave dhe argatëve të tyre e cila çoi në daljen e elementëve të parë të kapitalizmit. Bujqit e vegjël, humbën gradualisht pronësinë e cila me mashtrim dhe forcë kaloi në duart e pronarëve të mesëm dhe të mëdhenj, vendas dhe të huaj. Periudha e cila lidhet me sundimin e vendit tonë nga Perandoria otomane rreth viteve 1847 u quajt "Lëvizja kundër padrejtësive shoqërore", Reforma e Tanzimatit.

Kjo lëvizje nga format e kundështimit e mos pranimit të hapur shkoi deri në kryengritje lokale të armatosura. Shkaqet më kryesore ishin vështirësitë e jetesës, problemet e shfrytëzimit të egër, konfliktet e shumta e të ndryshme për pronësinë, pagesën e mëditjes, sigurinë e mos përballimi i taksave të mëdha të vendosura nga bejlerët dhe sundimi turk. Bujqësia, blegtoria, zejtaria ishin aktivitetet kryesore shqiptare që bënin të mundur jetesën primitive.

- Fillimi i lëvizjes sindikale (punëtore) në qytetin e Shkodrës, në vitin 1905 ishte nga të parat dhe që lidhet me krijimin e shoqatës së zejtarëve të vegjël, në mbrojtje të interesave të tyre ndaj zejtarëve me çirakë, fitimet e të cilëve ishin më të mëdha.

Arsyeja e organizimit ishte se taksat e zejtarëve pa çirak ishin të njëllojta me ato të zejtarëve me çirak. Shkodra ishte një qytet i vjetër me zejtari të zhvilluar dhe me marrëdhënie tregtie me vendet fqinje. Zanatçinjtë e ndryshëm, si argjendarët, farkëtarët etj, për mbrojtjen e interesave të tyre panë si domosdoshmëri bashkimin e tyre dhe kundërshtuan hapur kundër prodhuesve të mëdhenj, tatimeve e taksave të pa përballueshme. I njëjti fenomen ndodhi me zejtarët dhe tregtarët e manifakturës, kryesisht të përpunimit të mëndafshit në Prizren, Gjakovë, Ulqin etj.

- Në vitin 1927 - 1929 në qytetin e Korçës u organizuan shoqatat e para mbi bazë profesionesh si: rrobaqepës, këpucarë, farkëtarë, etj. Kjo formë ishte më e larta e organizimit punëtor dhe si më rezultativja, në mbrojtje të interesave të tyre dhe më gjerë për shtresat e tjera punonjëse të vendit.

Në këtë organizim pati shumë efekt eksperienca e ish mërgimtarëve të këtij qyteti, sidomos ata të punësuar në mërgim në Amerikë, Australi, Kanada e gjetkë. Në këto vite ky qytet njihet për kulturën, traditën e punës, jetesës, pazarin si dhe tregtinë në vendet fqinjë si Follorinën, Kosturin, Selanikun, Ohrin, Strugën e Manastirin. Ky organizim gjeti përkrahje dhe mbështetje nga inteligjenca, populli, shoqatat dhe qytetet kryesore në klasën punëtore në Shqipëri. Kërkesat kryesore për zgjidhje ishin, pagat e ulëta, shkurtimi i orëve të punës, leje pushimi javor, kushtet e punës etj.

- Lëvizja Sindikale erdhi duke u rritur. Shembulli më i mirë është në qytetin e Kuçovës. Konflikti ishte për kushtet e punës, pagesat e pakta, sigurimet, pensionet etj. Midis punëtorëve shqiptarë dhe shoqërisë Italiane "AIPA", u zhvilluan demostrata dhe greva të ashpra me pasoja dhe viktima në njerëz.

Me anë të kësaj përleshjeje gjithashtu kundërshtohej hapur dhe ashpër pushtimi fashist i vendit. Kjo periudhë spostoi lëvizjen sindikale, mbasi u angazhuan forma të tjera e u organizuan lëvizje me natyrë të gjerë popullore.

- Lëvizja punëtore në vitin 1936 rikthehet përsëri në qytetin e Korçës, duke arritur kulmin e vet në demostratën e Bukës, me pjesëmarrje të gjerë të popullit të udhëhequr nga zanatçinjtë dhe inteligjenca e qytetit. Shkak themelor ishin kushtet e rënda të jetesës dhe mbi të gjitha mungesa e bukës e perspektiva e zymtë e familjeve. Gjatë konfliktit që shkoi deri në përleshje trup më trup, pati të plagosur, të vrarë dhe shumë të burgosur nga xhandërmaria e qytetit e përforcuar. Arsyeja themelore pse lëvizja punëtore arriti kulmin ishte sepse shumë organizues, pjesëmarrës njihnin jetën e vështirë në vend dhe në mërgim si dhe format e organizimit të lëvizjes punëtore sindikale si domosdoshmëri për mbrojtjen direkte të interesave të tyre jetësore. Zanatçinjtë e këtij rrethi, tashmë kishin organizuar shoqërinë "PUNA". Jehona e këtyre manifestimeve dhe organizimeve punëtore u përcoll dhe u mirëprit me dëshirë pozitive dhe në qytete të tjera të vendit, sidomos nga tipografët e Tiranës, etj.

- Në vitet 1939 - 1940, lëvizja sindikale organizohet me greva të fuqishme, nga ku kërkoheshin kushte pune dhe jetese më të mirë për punëtorët.

Gjatë viteve 1939 - 1944, vitet e luftës për çlirimin e vendit, dolën përfaqësues të klasës punëtore të cilët u hodhën totalisht kundër pushtuesve dhe pushtimit. Kjo periudhë ishte shumë e rëndë për Shqipërinë e varfër e shumë e vuajtur. U shkatërrua çdo gjë, u vranë, u dogjën, u rënua ekonomia, por ideja e çlirimit dhe sakrificave madhore mbarë shqiptare, bëri të mundur çlirimin nga pushtimi, vuajtja, sëmundjet e uria. U fitua liria e vendit, u fitua pavarësia e kombit dhe perspektiva e tij.

- Pas nëntorit 1944 u punua për rindërtimin e vendit, eleminimin e pasojave të tmerrshme të luftës, fillimin e aktiviteteve jetësore, sociale, ekonomike dhe politike. Kjo periudhë shënoi një rritje dhe një forcim të rolit të punëtorëve dhe organizimit të tyre. U krijuan sindikatat sipas profesioneve nga 11/02/1945 deri në vitin 1949. Gjatë kësaj periudhe pati alternativa nga elementë përparimtarë, demokratë, ashtu si dhe në fushat e tjera të jetës organizative për forcimin e lëvizjes sindikale sipas profesioneve, por nuk triumfoi për shkaqet e njohura dhe tendencat politike negative. Tek ne ndikoi organizimi dhe përvoja e vendeve të tjera të fuqishme të Lindjes ashtu si dhe në jetën politike.

Ky organizim i ri në Shqipëri i klasës punëtore u quajt Bashkimet Profesionale. B. Profesionale ishin e vetmja organizatë sindikale ku përfshihej gjithë punëtoria, profesionet në nivel vendi, me përjashtim të njerëzve të pa pranueshëm politikisht. Ky organizim ishte nën diktatin politik të pushtetit monist dhe nuk mund të konceptohej e të lejohej aktivitet tjetër i pa varur sindikal.

Ky organizim ndonëse në një regjim një partiak, pati vlera për mbrojtjen e interesave të punonjësve si: punësimi, kualifikimi, pushimi etj, sikurse ideologjizoi kujdesin dhe mënyrat e trajtimit të çështjes të punës e punëtorisë. Gjatë kësaj periudhe nuk u lejua eksperienca dhe sindikalizmi perëndimor e cila çoi në izolim dhe eleminoi përparimin dhe demokratikën në jetën sindikale shqiptare.

- U bënë shumë përpjekje për ndryshime në mënyrën e konceptimit të jetesës, artit, kulturës, të drejtës së individit por, nuk mund të fillonte pluralizmi në Shqipëri në vitet 1970 - 1973, sepse dhe në këtë moment diktatura politike e quajti fenomen liberal dhe të dëmshëm për partinë, pushtetin e për pasojë e për vendin. Nga njerëz të vonuar e primitivë ngelëm në errësirë dhe për disa vjet pa pluralizëm e plurisindikalizëm.

- Vitet 1980 shumë të vështira për pushtetin, ekonominë e në veçanti për punëtorinë, dhe familjet shqiptare. Vazhdonte rrënimi i ekonomisë të centralizuar, prodhimi pa prodhim, produktet ushqimore e blegtorale drejt minimumit, shtohej rradha për qumësht e më tej kërcënonte uria. Në planin politik shënohet liberalizim gradual i saj, i jetës organizative. U bënë përmirësime në kodin civil e penal - viti 1990 shënoi tragjedinë, papunësinë, inflacionin, urinë, shpërthimin e ambasadave në korrik në Tiranë, me qëllim largimin për një jetë më të mirë, jashtë vendit, kudo që të përfundonin, me këmbë maleve, me varka e me ajër, mundësisht të iknin, të kërkonin tjetër hapësirë, tjetër jetesë. Mbi këtë bazë sociale, ekonomike e juridike u paraqit viti 1990 i cili shënoi iniciativat intelektuale e përgjithësisht lëvizjen studentore të dhjetorit në Tiranë e qytete të tjera, me dëshirë për një shoqëri të hapur demokratike, për përmbysjen e diktaturës me parrullat masive LIRI - DEMOKRACI, ta bëjmë Shqipërinë si Europa etj. Të gjithë punonjësit në mbarë vendin mbështetën dhe drejtuan lëvizjen demokratike. U drejtuan Qeverisë 17 kërkesa për zgjidhjen në emër të B.S.P.SH. Greva u ndie në Tiranë, Kavajë, Korçë, Shkodër, Fier, minierën e Valiasit etj. Pati dhunë dhe presion nga policia e pushtetit ndaj protestuesve. Nga presioni popullor qeveria bie, afrohen zgjedhjet e reja.

Lëvizja e orientuar nga Sindikata e Pavarur, shpejt nga kërkesa ekonomike kaloi në politike, për pasojë u kthye në lëvizje politike. Për momentin me vlerë, por më tej e dështuar si objekt i sindikatave.

Filluan të organizohen dhe grupimet politike që bënë të mundur Partitë politike shqiptare dhe Sindikatat e Profesioneve të punonjësve me koncepte të reja, të pavarura dhe me dëshirë për një mbrojtje dhe jetë më të mirë.

Me fillimin e kërkesave për mos varësi të B. Profesionale nga Partitë, propozimeve të bëra nga individë të pavarur demokratë e intelektualë pa parti më datë 24/12/1990 në Tiranë shpallën pavarësinë e B. Profesionale nga çdo influencë politike e diktat pushtetar. Aty u kërkua menjëherë dorëheqja e ish drejtuesve politikë dhe krijimin e grupimeve të reja sindikale me statut e programe të veçanta, me zgjedhje të lira mbi bazë profesionale e dëshirash të grupimeve të ndryshme të interesuara.

Erërat e reja e të freskëta demokratike po shpejtonin për në Shqipëri, si pluralizmi, shtypi i lirë dhe elementë të tjerë të jetës së lirë në ekonominë e tregut. Shtypi i pavarur fillimisht me artikuj të veçantë e më pas me gazeta të reja politike. Nuk ngeli pa ndikim dhe Masmedia elektronike e cila dha kontributin pozitiv në ndryshimet shqiptare.

- Përfaqësues të Federatës sonë, pavarësisht nga bindjet fetare e politike, të pranishëm gjatë ndryshimeve politike e sindikale, kërkuan aktivisht pavarësinë reale si dhe iniciuan krijimin e strukturave të reja fillestare dhe punuan në vazhdimësi deri në krijimin e Këshillave sindikale në Insitucionet shëndetësore të vendit. Grupime nismëtarësh, vullnetarisht organizuan programe e projekt statute e më vonë bënë të mundur krijimin e shumë Federatave e Sindikatave. Ky fillim i plurisindikalizmit i mirëpritur dhe në organizimin e punonjësve shqiptarë, të cilët njihnin dhe nuk e njohnin mirë këtë eksperiencë u bë prezent. Ideja e organizimit dhe strukturave të reja u mbështet plotësisht dhe u bë jashtë dëshirave të pushtetit dhe momenklaturave të tjera komanduese ekzistuese. U krijua një spektër i ri sindikatash, Federatash, me emërtime e emblema të ndryshme, të cilat afruan statute, programe dhe alternativa për sindikalistët dhe simpatizantët e tyre.

Marsi i vitit 1991 ishte dhe fillimi i krijimit të Federatave të profesioneve e cila filloi më 11/03/1991 më atë të Minatorëve e u pasua nga shumë të tjerë. Më 23/04/1991 u krijua Federata Sindikale e Pavarur e Punonjësve të Shëndetësisë së Shqipërisë.

Më 1991 u krijua dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, me alternativën dhe programin përkatës.

Me dëshirën e të gjithë Federatave, duke shfrytëzuar dhe eksperiencën e sapo njohur perëndimore, për efekt të fuqizimit dhe të kordinimit të lëvizjes sindikale, më datë 05/06/1991, krijuam Konfederatën e Sindikatave të Shqipërisë.

A ktiviteti, strukturimi, alternativat, qëndrimet, aleancat e sejcilës nga sindikatat apo grupimet sindikale i respektojmë. Çdo kohë do të evidentojë ç'kanë qënë, ç'bënë e ç'mund të jenë. Historinë e lëvizjes sindikale duhet ta njohim, shkruajmë mos e madhështojmë dhe mos e minimizojmë.

 

Njohuri mbi krijimin dhe alternativën e Federatës së Shëndetësisë.

E konceptuar si domosdoshmëri e ndryshimeve totale që po ndodhnin në Europën Qëndrore e Lindore dhe në Shqipëri gjatë fundit të vitit 1990 e fillimit 1991, punonjësit e sektorit të shëndetësisë kërkuan dhe kontribuan aktivisht për ndryshime në konceptin politik, ekonomik, social e juridik, për transformime të dukshme e të efektshme për punën e mënyrën e jetesës së tyre, nga një sistem monopartiak i lodhshëm, totalitar e organizim i drejtuar, diktuar e ideologjizuar sindikal, në një sistem pluralist demokratik ku sindikata e sindikalistët të ishin realisht të pavarur nga shteti, pushteti, ngjyrat politike e punëdhënësit.

U mblodhën në Durrës më 23/04/1991, përfaqësues të punonjësve të sektorit të shëndetësisë të Shqipërisë, të zgjedhur nga rrethet për të zhvilluar Konferencën e Parë Kombëtare të Federatës Sindikale të Pavarur të Punonjësve të Shëndetësisë së Shqipërisë. Merrnin pjesë përfaqësues nga 22 rrethe të vendit (nga 27) me prezencë 68 sindikalistë. Mungonin rrethet Fier, Pukë, Gramsh, Shkodër, Gjirokastër për të cilat u propozua mundësia e plotësimit gradual dhe u lanë vendet për t’a në këshillin kombëtar.

Përfaqësuesi i shëndetësisë të Tiranës Dr. Pirro Prifti filloi proçedurën dhe sqaroi domosdoshmërinë e krijimit të Federatës. U mirëprit organizimi nga pjesëmarrësit, u sqaruan pozicione, u paraqit projekt - statuti dhe kërkesat e objektivat e punës. Ju drejtuam Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë me kërkesat për zgjidhje, për informacion Masmedias dhe një thirrje drejtuar gjithë punonjësve për angazhimin e organizimit në Federatë dhe në fund u kaluan në zgjedhje të lira e të fshehta. U zgjodh kryetar Dr. Pirro Prifti e sek. Dr. Rifat Dalipi. U plotësuan dhe n/kryetarët e anëtarët e parë të Këshillit Kombëtar të Federatës me ndarje territoriale të profesioneve të ndryshme e pa gjykime shoqërore e politike. Mbas një aktiviteti të rëndësishëm fillestar por tepër të vështirë për kushtet u krye një aktivitet sindikal i cili mori takimet e para me përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe shtetit Shqiptar si dhe u propagandua programi i Federatës. Por, për arsye personale - profesionale Dr. Pirro Prifti, kryetari, kërkoi dorëheqjen e për pasojë mblidhet Këshilli Kombëtar i cili dhe me rekomandim të kryetarit dhe të tjerëve zgjedh me votim demokratik përfaqësuesin e Rethit të Korçës e mjekun e Institucionit Shëndetësor spitalor të Bilishtit Dr. Minella Mano si kryetar të Federatës.

Me dëshirë e baza vullnetare, me bindje e kritere vetëm profesionale, me statut e program të veçantë, e hapur për çdo njeri Federata e Shëndetësisë shpejt afroi njerëz me mendim e dëshirë për të renë, për sindikalizëm vetëm në mbrojtje të interesave jetësore të punonjësve të këtij sektori, gjatë tranzicionit e në vazhdim me objektiva të qarta.

Ne paraqitëm një alternativë të re sindikale, me ndërtim vertikal bashkëkohor për të realizuar një aktivitet sindikal të pastër e të fuqishëm, duke garantuar ndershmërisht sindikalizëm profesional në rritje e përmirësim gradual.

N ismëtarët, dashamirësit e profesionit human, e jetik, ata që kuptuan më shpejt domosdoshmërinë e ndryshimeve të kohës, intelektualët e punonjësit që ndikuan me konceptet e reja dhe të gjithë ata që dhanë kontributin fillestar për strukturimin e Federatës së Shëndetësisë, nuk ishin pjesa më e zgjedhur dhe e përkëdhelur e Inteligjencës Shëndetësore Shqiptare, por theksoj ishte më e mira, sepse ajo mori përsipër e përballoi shumë ndodhi, strese, epitete, presione e lajka nga më të ndryshmet, nga njerëz dashakeq, injorante, ekstremistë, politikanë e kameleonë e kllounë shumë ngjyrësh të cilët i mbulonte monizmi dhe i evidentoi tranzicioni në proçes.

Kolegët e mi dhe tuaj ndërtuan e zhvilluan një lëvizje sindikale të brishtë, të mençur, të pavarur, të sigurtë e me objektiva e dëshira demokratike e perspektive.

 

Thirrje

Vëllezër dhe motra, mjekë, infermierë, sanitarë dhe Punonjës të Sektorit ndihmës të Shëndetësisë!

F ederata Sindikale e Pavarur e Punonjësve të shëndetësisë, e mbledhur në Durrës më datë 23/04/1991 merr përsipër zgjidhjen e problemeve të mprehta që kanë punonjësit e shëndetësisë. Ne do të luftojmë së pari për përmirësimin e kushteve të të gjithë punonjësve të shëndetësisë që punojnë në vështirësi dhe me lëndë toksike dhe që nuk janë paguar dhe kompesuar deri tani, duke i kompesuar në pagë ose në ushqim siç janë, kirurgët, reanimatorët, infermierët dhe sanitarët e sallave të operacionit dhe të reanimacionit si dhe të pavioneve. Gjithashtu do të luftojmë për përmirësimin dhe kompensimin në pagë ose ushqim për farmacistët, stomatologët, sektorët ndihmës si ato të ortopedisë, shërbimi ambulator, fizioterapisë, oksigjenistë etj. Së dyti, për rritjen e pagave të gjithë punonjësve të shëndetësisë në 50%. Së treti, për pagesën e punës jashtë orarit. Së katërti, për reduktimin e orarit të punës javore, në pesë ditë duke patur, të shtunën dhe të djelën pushim. Së pesti, turni i tretë do të paguhet 50% më tepër nga paga ditore, ndërsa ditët e festave dhe të pushimit do të paguhen dyfish. Së gjashti, për zgjatjen e kohës së pushimit vjetor për të gjitha kategoritë e punonjësve të shëndetësisë, në 21 ditë. Së shtati, për përmirësimin e legjislacionit ekzistues për shëndetësinë, si punën 6 - orëshe të mjekëve, e cila kompensohet nga rojet 24 orëshe.

Federata jonë e re e Sindikatave të Pavarura të Punonjësve të Shëndetësisë do të luftojë gjithashtu me mish e me shpirt për realizimin e kërkesave tona, duke u distancuar nga format e vjetra dhe pa efektivitet të ish Bashkimeve Profesionale. Federata jonë është një organizëm i ri sindikal bashkëkohor, ashtu siç e kanë dhe vëndet më të përparuara të Europës dhe të botës. Si e tillë është jashtë partive politike dhe për mbrojtjen e interesave të punonjësve të shëndetësisë, do të jetë në opozitë dhe në luftë të pandërprerë me organet shtetërore dhe në radhë të parë me veprimet burokratike të tyre. Për realizimin e qëllimeve të saj do të përdorë të gjitha format legale që ja jep Kushtetuta duke përdorur të drejtën e grevës së pjesëshme apo dhe të përgjithëshme.

Ju bëjmë thirrje që dhe ato punonjës të lëkundur që e kanë humbur besimin në përmirësimin e jetës dhe të kushteve të punës të vijnë tek ne se kjo Federatë është sinqerisht e pastër dhe pa paragjykime politike, duke bërë dhe të pamundurën për realizimin e qëllimit të lartë ku punonjësi i shëndetësisë të jetë njeri i nderuar, humanitar, apolitik në punën e tij të përditëshme dhe të shpërblehet sipas punës dhe kontributit që jep.

P/ Federatën Sindikale të Pavarur të Punonjësve të Shëndetësisë së Shqipërisë

Kryetari Pirro Prifti

Tiranë më, 24/04/1991

 

Parimet e përgjithëshme

F ederata Sindikale e Shëndetësisë së Shqipërisë, (F.S.SH.SH.), e krijuar më data 23/04/1991, me dëshirë e vullnet të lirë të punonjësve, nga poshtë lart, si domosdoshmëri dhe alternativë mbrojtëse, e përfaqësuese serioze e punonjësve të këtij sektori,ka për qëllim:

1. Të punojmë duke propaganduar domosdoshmërinë e organizimit në lëvizjen sindikale, të sektorit të Shërbimeve Shëndetësore, Sociale dhe atij ndihmës, si rruga më direkte e paraqitjes së alternativave, ballafaqimit, protestës, kërkesës dhe zgjidhjeve konkrete.

2. Të bashkojë punonjësit e Shëndetësisë të Sektorit Publik dhe Privat, të papunët, pensionistët e këtij profesioni, nxënës dhe studentët e Fakultetit të Mjekësisë, për të zhvilluar një aktivitet Sindikal bashkëkohor e të pavarur, në interes të mbrojtjes së interesave profesionale, social - ekonomike e juridike.

3. Të mbrojë të drejtat dhe liritë themelore të individit në përputhje me Konventat dhe Standartet Ndërkombëtare e sidomos të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, sipas të cilës:

(Të gjitha qeniet njerëzore lindën të lira, të barabarta nga pikëpamja e dinjitetit dhe të drejtave...)

4. Të koordinojë aktivitetet e Seksioneve e Këshillave Sindikalë, të përkrahë prezantimin e interesave të përbashkëta, të ushtrojë solidaritetin midis anëtarëve të saj, në shkallë kombëtare e ndërkombëtare.

5. Të zhvillojë frymën e Seksioneve e Këshillave Sindikale, të përkrah prezantimin e interesave të përbashkëta, të ushtrojë solidaritetin midis anëtarëve të saj, në shkallë kombëtare e ndërkombëtare.

6. Të mbrojë autonominë dhe të zhvillojë demokracinë në gjithë strukturën, veprimtarinë individuale e sindikale.

7. Të punojë për një mbrojtje ligjore, në çdo aspekt e në çdo kohë, ndaj çdo akti diskriminues që synon të cënojë liritë sindikale në të gjitha fushat dhe nivelet e veprimtarisë së saj.

8. Objektivi kryesor i tërë aktivitetit të saj në jetë:

Të jetuarit me dinjitet dhe të gëzuarit lirisht të fruteve të progresit shoqëror duke kontribuar secili për të, pa dallim race, seksi, ngjyre, gjuhe, feje, bindjeje politike e sindikale, përbërje familjare, etj.

 

 

 

 

Home       |        Historik     |         Statuti       |        Partneret      |         Aktivitetet       |       Kontakt
Copyright © DanielM . All rights reserved.